IKC organizoi vizitë studimore ne Korçë

Gjatë kësaj jave Initiative for Kosova Community (IKC) organizoi vizitë studimore në Korçë, Shqipëri. Pjesëmarrës në këtë vizitë ishin Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt z. Burim Bajrami, Drejtoresha e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Kllokotit znj. Doruntina Rexhepi, dhe zyrtarë në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë nga Komuna e Ferizajt.

Gjatë këtij udhëtimi, grupi fillimisht vizitoi Qendrën e transferimit të teknologjive bujqësore në Korçë e cila shërben si Qendër e mbarështimit për kafshë race dhe kontroll gjenetik, Qendër reference, transferimi teknologjie, formimi teknik si dhe Bazë të dhënash në shërbim të fermerëve të këtij rajoni. Pjesëmarrësit vizituan hapësirën e kësaj qendre si dhe u takuan me drejtuesit e saj, për t’u njoftuar nga afër me punën e tyre.

Qëllim i këtij aktiviteti ishte edhe vizita e plantacioneve të qershisë, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë dhe shohin disa prej tyre në këtë rajon. Këto vizita mundësuan të pranishmëve të kuptojnë më mirë metodat e përdorura të kultivimit të qershisë si dhe teknikat dhe teknologjitë më të reja të prodhimit.

Gjithashtu, grupi vizituan edhe plantacione të mollës, ku patën rastin të takoheshin edhe me drejtuesin e Unionit të prodhuesve të mollës në Korçë z. Ylver Bylykbashi. Gjatë takimit pjesëmarrësit u njoftuan me metodat dhe teknologjitë e reja të prodhimit të mollës në këtë rajon.

Kjo vizitë u vlerësua jashtëzakonisht e nevojshme nga ana e pjesëmarrësve. Përveç informatave të reja dhe njohjen nga afër të punës së fermerëve të rajonit të Korçës, u krijuan edhe kontakte të reja mes institucioneve përkatëse.