IKC mbajti Konferencën e gjashtë rajonale mbi “Problemet dhe sfidat që shoqëruan bujqësinë kosovare gjatë vitit që po lëmë pas”

Me datë 13.12.2018, Initiative for Kosova Community (IKC) organizoi Konferencën e gjashtë rajonale vjetore mbi “Problemet dhe sfidat që shoqëruan bujqësinë kosovare gjatë vitit që po lëmë pas”

Kjo konferencë u organizua nga IKC  në kuadër të projektit “Sustainable Rural Development and Reconciliation in Kosovo” financuar nga We Effect, dhe kishte për qëllim trajtimin e temave dhe diskutimin mbi sfidat dhe pengesat me të cilat fermerët e vendit tonë, janë ballafaquar gjatë vitit 2018.

Panelistë të kësaj konference ishin z. Ekrem Bajrami, Drejtor Ekzekutiv në IKC; znj. Shqipe Dema, Drejtore në Departamentin e Politikave të Zhvillimit Rural (Autoriteti menaxhues) në MBPZHR;  z. Kujtim Uka, Drejtor në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) z. Ekrem Gjokaj, u.d Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë; z. Mufail Salihaj, Profesor në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Universiteti i Prishtinës.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin fermerë, përfaqësues të organizatave të grave dhe të burrave, zyrtarë nga institucionet lokale të Kosovës Juglindore, përfaqësues nga shoqëria civile, studentë të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, e shumë mysafirë të tjerë.

Gjatë kësaj Konference u trajtuan sfidat kryesore me të cilat fermerët kosovarë u ballafaquan gjatë këtij viti. Në këtë aspekt, panelistët që përfaqësuan institucionet publike prezantuan punën dhe kontributin e tyre gjatë vitit 2018 që implementuan për të ndihmuar në zhvillimin e bujqësisë kosovare. Në anën tjetër, fermerët e pranishëm adresuan problemet me të cilat po ballafaqohen ata dhe vështirësitë që po kalojnë për zhvillimin e tyre, si dhe parashtruan kërkesat e tyre ndaj institucioneve përkatëse.

Gjithashtu gjatë kësaj Konference u prezantua puna e IKC-së e implementuar gjatë vitit 2018, përfshirë eventet kryesore që u shënuan këtë vit. Ky prezantim u bë me qëllimin për të informuar publikun lidhur me aktivitetet dhe iniciativat e implementuara gjatë vitit 2018 nga organizata IKC. Gjatë këtij prezantimi u veçua nisja e procesit të transformimit të organizatës IKC në organizatë të bazuar në anëtarë; aktivitetet lobuese dhe avokuese të IKC-së; kontributi i IKC-së në ngritjen e kapaciteteve të fermerëve në Kosovën Juglindore, bashkëpunimi i IKC-së me autoritetet lokale dhe qendrore, etj.